KPK - Janar 2020

10.4 milionë euro vetëm për rrogat e sistemit Prokurorial në buxhetin e vitit 2020

 

Buxheti i sistemit Prokurorial të Kosovës për vitin 2020 është rritur për 851 mijë euro krahasuar me vitin paraprak. Për vitin 2020, buxheti për Këshillin Prokurorial të Kosovës do të jetë 15 milionë e 21 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar buxheti ishte 14 milionë e 170 mijë euro.

Kemi një rritje të buxhetit për paga edhe pse numri i punëtorëve të buxhetuar është ulur për 2 punëtorë, pasi tash janë 844 punëtorë. Buxheti për rroga për këta punëtorë, në vitin 2020, është 10.4 milionë euro.

Bazuar në raportin e shpenzimeve të vitit 2019 të publikuara nga ministria e Financave dhe Transfere del se KPK-ja në vitin 2019 kishte tejkalim të shpenzimeve për rroga.

Buxheti për këtë kategori ishte 9,715,383 euro, ndërsa ishin shpenzuar 10,410,291 euro, apo 107%.

Ndërkohë, shpenzime kapitale për vitin 2019 ishin 1,784,500, por janë realizuar vetëm 1,038,184 euro, apo 58%. Ndërkohë, në buxhetin e vitit 2020 janë paraparë 1,834,500 euro. Pjesa më e madhe e projekteve të paraparë janë të bartura nga viti 2019.

Në kuadër të investimeve të reja kapitale është blerja e tokës për ndërtimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në vlerë prej 500 mijë euro, Instalimin e sistemit të sigurisë kundër zjarrit në arkiva në vlerë 20 mijë euro, sistemin për filtrimin e ujit ne vlerë prej 20 mijë euro, si dhe avancimin e sistemit të energjisë në vlerë 50 mijë euro.

Ndërsa si investime kapitale të mbetura nga viti 2019 është shpenzimi i 513 mijë euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale, blerja e skanerit për kontroll dhe siguri në vlerë 244 mijë euro.

Qeveria ka paraparë që të investojë edhe 55 mijë euro në furnizim me licenca, 87 mijë euro për teknologji informative dhe 50 mijë euro për ndërtimin e sallës së konferencave të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Të gjitha këto investime të qeverisë janë paraparë në buxhetin e shtetit të miratuar në mëngjesin e hershëm të së dielës së 15 marsit.