Foto ilustruese: Pixabay

Ligji për rrogat mund të kthehet në pikën zero

Ligji i shumë përfolur për rrogat, u miratua me 2 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovws dhe përmes tij shumë zyrtarëve të sektorit publik ju është rritur rroga.

Por, punonjësit shtetëror nuk do t`i marrin rrogat me rritje këtë muaj për shkak të procedurave kushtetuese pas miratimit të ligjit.

Ligji për rrogat është përcaktuar që të hyjë në fuqi pas nëntë muajve.

Por para hyrjes në fuqi, Kushtetuta e Kosovës e përcakton procedurën për miratimin e ligjeve.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë për KALLXO.com se miratimi i ligjeve, përcaktohet me Kushtetutë.

“Ligjet shkojnë për nënshkrim pasi të kalojnë tetë ditë nga dita e miratimit. Duhet referuar Kushtetutës”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, sipas nenit 80 të Kushtetutës së Kosovës, pika 2 thuhet se Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin.

Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë për KALLXO.com, se ende nuk kanë nisur procedurat për nënshkrimin e Ligjit për rroga.

“Ligji i pagave është miratuar të shtunën e kaluar, prandaj ende nuk është konsumuar afati tetë ditor, për t`u hapur rrugë pastaj procedurave tjera institucionale”, theksoi Latifi.

Por të drejtën për të dhënë vërejtje në ligje e ka edhe Presidenti i Republikës së Kosovës.

Këtë e përcakton pika 3 e nenit 80 të Kushtetutës.

“Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa, në pikën 5 të Kushtetutës thuhet se  nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Në po të njëjtin nen të Kushtetutës, thuhet se Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Kurse, Ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për të marr përgjigje nëse kanë vërejte për ligjin në fjalë, por ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Në anën tjetër, Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha për KALLXO.com se, Ligji për rrogat është përcaktuar që të hyjë në fuqi pas nëntë muajve.

“Përjashtim për të hyrë në fuqi ligji 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, bën Ligji për Pagat, pasi në të është përcaktuar ndryshe afati dhe në këtë rast, i njëjti nuk hyn në fuqi deri pas 9 muajve”, shpjegoi Haxhiu.

Sipas saj, nëse presidenti nuk e dekreton një ligj dhe ia kthen Kuvendit me vërejtje, atëherë komisioni përkatës i shqyrton vërejtjet e presidentit edhe e jep rekomandimin nëse i përkrah ose jo ato vërejtje dhe ligji dërgohet sërish në seancë të Kuvendit për votim.

“Pra vetëm në rastet kur presidenti gjen vërejtje në ligj dhe për atë arsye nuk e dekreton, ai kthehet në Kuvend”, theksoi Haxhiu.

Projektligji për rrogat ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek mijëra punonjës të sektorit publik në Kosovë.

Mësimdhënësit në gjithë shkollat e Kosovës, mbajtën grevë për një muaj, deri në rritjen e koeficientit të pagave të tyre, i cili më pas është ngritur për 20 për qind, por jo në 30 sa kërkonin punëtorët e arsimit.

Përkundër miratimit të Ligjit për rroga, në grevë akoma janë një pjesë e kirurgëve të QKUK-së, pasi të njëjtit po kërkojnë koeficient të njëjtë me prokurorët dhe gjyqtarët.

Krerët e institucioneve të Kosovës si kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ditën e miratimit Ligjit për rrogat në sektorin publik e kishin vlerësuar si ditë historike.

Kryeministri Haradinaj tha se për herë të parë Kosova u bë me ligjin e rrogave.

“Ligji vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”, tha ai.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli deklaroi se me këtë ligj, po i jepet fund arbitraritetit dhe anarkisë që kanë mbizotëruar në këtë fushë për pothuajse 20 vjet.

“Pagat u janë rritur të gjithë mësimdhënësve, personelit shëndetësor, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë dhe të gjitha kategorive tjera në sektorin publik. Askujt nuk do t’i ulet paga ekzistuese. Ligji parasheh vetëm rritje”, u shpreh Veseli.