Ligji i ri, Politikanët e korruptuar duhet ta dëshmojnë prejardhjen e pasurisë

Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Tahiri tha se Projektligji i ri, ka sjellë disa risi të mëdha. Sipas tij veprat penale me të cilat vlen konfiskimi i pasurisë së paligjshme janë shtuar dukshëm.

“Në këtë projektligj rënditja e veprave penale ku parashikohet konfiskimi i pasurisë janë veprat penale të krimit të organizuar, veprat penale të korrupsionit dhe veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vepra penale kundër shëndetit publik, veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, vepra penale lidhur me konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, veprat penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, veprat penale që ndërlidhen me substanca narkotike dhe armët, veprat penale kibernetike, ato kundër ekonomisë së vendit, kundër pronës dhe kundër ambientit”, tha Tahiri.

Sipas ministrit ka një listë më të gjerë të veprave penale për të cilat institucionet e sistemit të drejtësisë do të kenë mundësi të ushtrojnë procedurën e konfiskimit.

“Konfiskimi është zgjeruar në kuptimin e konfiskimit të çdo pasurie të përfituar me vepër penale në 10 vitet e fundit nga momenti i nisjes së hetimit për një vepër penale të listuar më lartë”, tha Tahiri.

Gjithashtu, sipas tij konfiskimi është zgjeruar jo vetëm për të pandehurit por edhe për palët e treta.

“Askush nuk do të ketë mundësi që pasurinë e fituar me vepër penale ta fsheh ose ta transferoj në palën e tretë me pretekstin për t’ju shmangur konfiskimit”, shtoi Tahiri.

Barra e provës me këtë projektligj sipas Ministrit Tahiri, kalon nga prokurori tek i dyshuari përmes një sistemi proporcional ku prokurori duhet të dëshmoj se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet ta dëshmoj se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme për të cilat duhet të ofroj fakte në të kundërtën i konfiskohet.

Ai tha se është një ndër projektligjet më të rëndësishme që ka prezantuar muajt e fundit dhe ka kërkuar që të përkrahet ky projektligj.