Ligji i ri për trashëgiminë nuk i zgjidh problemet e vjetra

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi hulumtimin që tregoi për dështimin e institucioneve të vendit që të garantojnë bazë ligjore të mirëfilltë që do mundësonte barazi në çështjet e trashëgimisë.

Siç tregon hulumtimi, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Trashëgiminë ka mbetur me disa nene të vjetra të cilat u kanë shkaktuar shumë probleme qytetarëve të vendit.

Rasti më i njohur, ai i Shyrete Berishës nga Suhareka, të cilës gjatë luftë i janë vrarë burri dhe fëmijët, nuk do gjejë  zgjidhje as me ligjin e ri, pasi neni 13 i ligjit nuk është draftuar fare.

Poashtu emisioni i sontëm transmetoi edhe deklaratat e atyre që në vazhdimësi e kanë ngritur zërin se ligji për trashëgiminë duhet ndryshuar, pasi që ligji aktual pamundëson barazi në mes të grave dhe burrave në trashëgim.

Në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë, Labinot Leposhtica,  koordinator i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, ka folur për detajet se çka u ndryshua, e çka jo në draftin e ri të Ligjit për Trashëgiminë.

“projketligji ka ofruar ndryshime shumë kozmetike të cilat në esencë nuk e prekin problemin nuk e trajtojnë problematikën e shfaqur. Madje nëse e përmendim rastin që tashmë është sinonim i grave që kanë problem me pronësi, rastin e Shyrete Berishës, mundemi me thënë lirisht se këtë problem ky projektligj nuk e ka trajtuar fare dhe e ka shmangur në tërësi”, ka thënë Leposhtica.

Sipas tij, ndryshimet që janë propozuar me këtë projektligj kryesisht kanë të bëjnë me shkurtimin e kohëzgjatjes për njohjen e bashkëjetesës dhe të drejtën e tyre në trashëgimi.

“Periudha është shkurtuar nga 10 vjet në pesë, ndërsa në rastin kur bashkëshortët jashtë martesorë kanë fëmijë periudha është shkurtuar ne tre vjet. Mirëpo te çështja e përfaqësimit të bashkëshortit pasjetues në të drejtën trashëgimore nuk është trajtuar fare”, ka deklaruar koordinatori i Zyrës Ligjore të BIRN-it dhe Internews Kosovës, Labinot Leposhtica.

Ai ka thënë se shumë probleme që i kanë hasur në terren hulumtuesit e BIRN-it dhe për të cilat kanë dhënë rekomandime, përkundër vullnetit të disa anëtarëve të Komisionit për Legjislacion nuk janë pjesë e ligjit të ri, pasi që sponsorisuesit i Ministria e Drejtësisë nuk i ka dërguar fare për draftim në Kuvend.

Emisionin mund ta ndiqni LIVE në linkun e mëposhtëm: