Korrupsioni - Foto: REL/Shutterstock

Ligji i ri për deklarimin e pasurisë pritet të përfshijë inspektorë, policë hetues dhe doganierë

Pas analizimit të situatës dhe identifikimit të nevojave për ndryshime ligjore, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese “BIRN”, dhe Democaracy Plus kanë paraparë si të domosdoshme futjen e inspektorëve të të gjitha niveleve në Ligjin për deklamimin e pasurisë.

Ky propozim erdhi pasi me legjislacionin aktual publiku nuk ka mundësi të shoh pasurinë e inspektorëve dhe nuk ka mundësi që të raportojë mashtrimet dhe deklarimet e rreme të inspektorëve.

Përfshirja e tyre në Ligjin për deklarimin e pasurisë është paraparë e domosdoshme duke e parë pushtetin e madh diskrecional që kanë inspektorët e ATK-së në raport me bizneset gjë që e krijon rrezikun që inspektorët të përfshihen në vepra të korrupsionit me qëllim të përfitimit për vete apo anëtarët e afërm të familjes.

Bazuar në situatën aktuale BRIN, i ka propozuar grupit punues të angazhuar nga Ministria së Drejtësisë për ndryshimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë ta zgjerojë numrin e zyrtarëve që detyrohen ta deklarojnë pasurinë, duke i përfshirë këtu edhe Inspektorët, policët hetues dhe doganierët.

Propozimi i tillë morri pëlqimin e grupit punues dhe me Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë pritet që edhe Inspektorët e të gjitha niveleve, policët e hetuesisë, doganierët dhe hetuesit e AKK-së, të detyrohen ta deklarojnë pasurinë.