Ilustrim

Lidhjet e drejtorit të arrestuar me akuzat për blerjen e dëshmitarëve në rastin e Sami Lushtakut

Ish-drejtor i ndërmarrjes së pastrimit “Uniteti” në Mitrovicë Skender Tahiri i cili është arrestuar dje nga policia nën dyshimet se ka keqpërdorur mjete të organizatës ka edhe probleme të tjera me ligjin.

Kallxo.com zbulon se Tahiri është person i akuzuar edhe në çështjen e EULEX-it ndaj grupit që ndihmoj arratisjen e Sami Lushtakut nga spitali i Prishtinës dhe u premtoj para dëshmitarëve në rastin Drenica.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale pretendon Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kanë ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që ta japë një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro.

Aktakuza pretendon se përreth Sami Lushtaku dhe  Ismet Haxhës është një grup i cili ka pasur për qëllim t’i pengojë dëshmitarët e prokurorisë.

“Rrustem Rukolli, Rexhe Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari e Bajram Dibrani akuzohen se prej qershorit 2013 duke vepruar nën një plan të përbashkët, nën direktivat dhe udhëzimet e Sami Lushtakut e Ismet Haxhës, akuzuarit vendosën ta formojnë një grup prej së paku tetë personave aktiviteti kryesor i të cilit ishte që t’i pengojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin P. 938/13” thuhet në aktakuzë.

Këta dëshmitarë sipas aktakuzës dhanë deklarata fajësuese ndaj Lushtakut e Haxhës gjatë fazës hetuese në mënyrë që t’i bëjnë ata t’i ndërrojnë deklaratat gjatë procesit gjyqësor në përpjekje për ta fituar pafajësinë për Lushtakun e Haxhën dhe lirimin e tyre nga paraburgimi.

Dyshimet e reja

Ende pa u përfunduar ky proces gjyqësorë Skënder Tahiri ka rënë sërisht në prangat e policisë. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike  “Uniteti” Mitrovicë, i dyshuari Skender Tahiri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të paradhënieve, për vete shumën prej 35, mijë e 337 eurove, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82, mijë e 663 eurove.

Me këto veprime Skender Tahiri, dyshohet që i ka shkaktuar dëm kompanisë rajonale komunale një dëm në vlerë të tërësishme prej 118 mijë e 913.18 eurove.

Tahiri sot do paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake në Mitrovicë.