Liderët shtetërorë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ministri i punëve të jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj dhe ai i PSD-së Shpend Ahmeti do të jenë disa nga figurat të cilët do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë tërheqjen e shortit për zyrtarët e lartë publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Sipas shortit, nga 4862 deklarues, formularët e 974  zyrtarëve do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Sipas tyre agjencia ka mandat që të bëjë kontroll edhe për ata zyrtarë që nuk janë përzgjedhur në short.

“Agjencia këtë mund ta bëjë sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të publikut apo personave të tjerë  të interesuar, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe korrektësinë e deklarimeve”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre ky kontrolle bëhet në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe

Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, sipas dispozitave të të cilit, kontrollit të plotë i nënshtrohen 20% e zyrtarëve që janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre.

Listën e plotë të zyrtarëve që do t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë mund ta gjeni në këtë link.