Foto: REL/AFP

Liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit Bisedojnë për Sirinë

Presidentët e Iranit, Turqisë dhe Rusisë do të takohen sot në Ankara, për të diskutuar për të ardhmen e Sirisë dhe mënyrat se si të rrisin ndikimin e shteteve të tyre në Siri.

Presidenti turk, Recep Tyyip Erdogan do të mirëpresë homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë iranian, Hasan Rohani.

Ky është samiti i dytë trepalësh në gjashtë muajt e fundit.

Të tre shtetet janë të përfshira thellësisht në luftën në Siri. Rusia dhe Irani mbështesin presidentin Bashar al-Assad, ndërkaq Turqia grupet rebele.

Rusia, Turqia dhe Irani kanë sponsorizuar një sërë negociatash të paqes për konfliktin në Siri që mbahen në Astana të Kazakistanit.

Lufta në Siri ka nisur më 2011.

Që atëherë, vlerësohet se janë vrarë mbi 340 mijë persona, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur.