Foto: KALLXO.com

Liderët e Kosovës në ditën e Evropës kërkojnë anëtarësim në BE

Presidenti,  Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës vlerësojnë si të domosdoshëm anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në ditën kur Bashkimi Evropian shënon përvjetorin e themelimit, liderët kosovarë shfrytëzuan rastin që përpos urimit të theksojnë nevojën e shtetit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.

Hashim Thaçi, President i Kosovës përmes një postimi në Facebook e quajti Evropën ‘destinacion i ardhshëm’, për vendin tonë.

“Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Evropian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime. Gëzuar ditën e Evropës, destinacionin e ardhshëm të Kosovës” shkroi Thaçi.

Në ndërkohë, Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës, në urimin e tij përmendi sukseset e derimëtanishme të Kosovës duke shfaqur synimet e radhës për anëtarësim në BE dhe NATO.

“Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me disa rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha.

Unë e shpallë sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, deklaron Mustafa.

Ndërkaq kryeparlamentari Kadri Veseli  për anëtarësim në BE, tha se duhet të merret përgjegjësi për përmbushjen e kritereve.

“Kosova sot gjendet më afër se kurrë me Bashkimin Evropian. Megjithatë për Kosovën kjo nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste por edhe një ditë reflektimi mbi përgjegjësitë që secili nga ne ka në procesin e integrimit dhe domosdoshmërinë e përqendrimit dhe angazhimit më të madh në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”, thuhet në postimin e Veselit.

Dita e Evropës shënon 9 majin e vitit 1950, që është data e hapave të parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian si njihet sot.

Në këtë datë, Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës në një deklaratë për shtyp i bëri thirrje vendeve evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte  themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropian.