Lëvizja për Bashkim

Lëvizja për Bashkim: Demarkacioni Duhet Rrëzuar në Kuvend

Lëvizja për Bashkim në një reagim të sajin e ka kontestuar vendimin e parë të Haradinajt si kryeministër me të cilin u shkarkua Komisioni për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.

Sipas Lëvizjes për Bashkim, në fillim marrëveshja aktuale për demarkacionin me Malin e Zi duhet të rrëzohet në Kuvend, e vetëm pas këtij veprimi duhen kërkuar rrugë tjera.

“Lëvizja për Bashkim thërret qeverinë e vendit që sa më parë ta procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale dhe të mos humbë kohë me krijimin e komisioneve të reja, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt juridik në raport me Malin e Zi”, thuhet në reagimin e LB-së.

Rrëzimi i marrëveshjes sipas Lëvizjes për Bashkim hap rrugën për rinegociimin e saj.

“Vetëm pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, krijohet kontest juridik i ri me Malin e Zi dhe vetëm atëherë mund të bëhen përpjekje ose të rinegociohet marrëveshja, ose të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Nëse nuk veprohet kështu, Lëvizja për Bashkim thotë se vetëm do të vonohet lëvizja pa viza.

“Sa më shumë që politika jonë të vonohet me këtë proces, aq më shumë do t’i rrisë tensionet e brendshme politike dhe do t’i dënojë qytetarët e vendit me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave”, konstaton LB-ja.

KALLXO.com shkroi për shkarkimin që Ramush Haradinaj i bëri komisionit për demarkacionin të drejtuar nga Murat Meha.