Leposhtica: Rastet e korrupsionit marrin dënime tejet të ulëta

Në konferencën e organizuar nga BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, ku po diskutohet për publikimin e raportit të monitorimit të gjykatave, Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA ka folur për të gjeturat e raportit të monitorimit të Gjykatave.

Ai tha se që nga fillimi i këtij projekti për monitorimin e gjykatave janë monitoruar mbi 10 mijë seanca gjyqësore të cilat kanë evidentuar shumë shkelje dhe shumë mangësi.

“Mund të ju them se janë monitoruar rreth 10 mijë e 887 seanca gjyqësore deri më tani përmes këtij projekti. Gjatë vitit 2017 kemi pasur 254 aktgjykime apo lëndë të kryera në rastet e korrupsionit dhe vetëm në 32 prej tyre kemi pasur dënim me burg”, tha Leposhtica.

Ai shtoi se vetëm  32 raste janë dënuar me burg nga Gjykatat e Kosovës për raste të korrupsionit, pasi të gjitha rastet tjera kanë kaluar më lehtë si me dënime me kusht ose me gjobë.

Leposhtica  tha se në raport janë përmendur edhe rastet e dënimeve më të ulëta dhe zvarritja e rasteve të korrupsionit.

“Si raste kur ka pasur dënime më të ulëta dhe kemi pasur zvarritje të rasteve mund të përmendin rastin e kryetarit të komunës së Dragashit, Sherif Berisha, Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit  në Suharekë, Drejtorët e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, Zyrtarët e PTK-së, rasti “ Stenta”, dhe disa raste të tjera”, tha Leposhtica.

Në këtë konferencë, Leposhtica poashtu ka përmendur edhe disa nga shkeljet procedural të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, të cilat i kanë hasur gjatë monitorimit.

“Si shkelje procedurale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve mund të përmendim dështimin e seancave gjyqësore, mos-caktimi i seancës gjyqësore, ndërrimi i deklaratave të dëshmitarëve, mosrespektimi i afatit ligjorë për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, përgatitja e dobët e prokurorëve për gjykim dhe shumë shkelje të tjera”, u shpreh Leposhtica.

Ky raport fokus të veçantë i ka rastet e korrupsionit, si veprat penale më me interes për shoqërinë të monitoruara gjatë vitit 2017, por gjithashtu do të trajtojë probleme të tjera të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti vë në dukje shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palët e tjera në procedurë gjyqësore, të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.