Lepaja: Deklarimet e Dardan Molliqajt janë marrëzira

Fadil Lepaja emri i të cilit u përmend nga deputeti Dradan Molliqaj për rekrutimin e deputetit Glauk Konjufca në organizatën SHIK, ka mohuar të ketë qenë i përfshirë ndonjëherë në këtë organizatë.

Në një prononcim për KALLXO.com Lepaja ka thënë që reagimin e tij e ka dhënë në “Facebook”.

“E kam thënë një deklaratë në Facebook. Me këto marrëzitë e Dardanit nuk kam kohë me u marrë”, ka thënë Lepaja.

Ndërsa në profilin e tij në rrjetin social, Lepaja ka mohuar kategorikisht se ka qenë pjesë e organizatës SHIK.

“Me përgjegjësi të plotë penale, dhe morale, deklaroj se kurrë në jetën time, nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije, e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorë në debate, në të cilat nuk kam interes dhe e kam nën dinjitet të përfshihem”, ka shkruar Lepaja në facebook.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, në seancën e sotme të  Kuvendin e Kosovës ka prezantuar disa të dhëna për ish-bashkëpartiakun e tij nga Vetëvendosja Glak Konjuca duke thënë se ai i ka shërbyer ShIK-ut. Ai tha se po jep deklarata shtesë të cilat e vërtetojnë se Konjufca ishte pjesë e ShIK-ut.

“2000 – 2001 është viti kur Konjufca ka shërbyer në ShIK. Paga 150 marka rekrutimin e ka bo Fadil Lepaja, sektori në të cilin ka punu është përpunimi i të dhënave”, tha Molliqaj.