Aksidenti në Gjakovë | Foto e dërguar në KALLXO.com

Lëndohet 12 Vjeçi në një Aksident në Gjakovë

Një fëmijë 12 vjeç që po voziste biçikletën është lënduar lehtë në Gjakovë pasi është përplasur me një makinë të tipit “Passat”.

Lajmin për aksidentin e bëri të ditur Albin Sahatqija, komandanti i Trafikut Rajonal në Gjakovë.

Përplasja e çiklistit për makinën ka ndodhur në Rrugën “Skënderbeu” afër objektit të policisë rajonale në Gjakovë.

Sipas Sahatqisë çiklisti-fëmijë po lëvizte në shiritin e tij të rrugës kur ndodhi aksidenti.

“Përderisa automjeti ‘Passat’ fillon kthimin majtas që të kyçet në rrugën tjetër, në udhëkryqin e rrugës “Skënderbeu” , ia merr përparësinë e kalimit biçiklistit, i cili ishte duke lëvizur përballë në shiritin e tij përkatës, me ç’rast në pamundësi të shmangies së aksidentit, biçiklisti përplaset në krahun e djathtë të veturës”, tha komandanti Sahatqija.

Ai tregoi për KALLXO.com se fëmija është dërguar në emergjencën e spitalit të Gjakovës.

“Si pasojë e aksidentit biçiklisti-fëmijë u dërgua në emergjencën e spitalit, ku nga mjekët konstatohet se ka pësuar lëndime të lehta trupore, ku pas tretmanit mjekësor lirohet në shtëpi. Rasti hetohet nga hetuesit e aksidenteve të trafikut rajonal”, sqaroi Sahatqija.

KALLXO.com ka shkruar edhe për aksidente tjera. Shkrimet e tilla mund t’i lexoni këtu.