ARKIV - Nga seanca e gjykimit ndaj Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com

Lënda e Asdren Mekajt mund të bashkohet në gjykatë me rastin për fajde ndaj Kqirajve

Avokati i palës së dëmtuar dhe prokurorja e rastit ishin të martën të të njëjtit mendim që rasti ndaj të akuzuarit për detyrim e shantazh, Asdren Mekaj, të bashkohet me rastin e gjykimit për fajde të njohur si ‘rasti Kqiraj’.

Megjithatë, seanca e caktuar për sot ndaj Mekajt nuk është mbajtur për shkak të mungesës së avokatit të tij, Besnik Berisha.

Paraprakisht, Berisha kishte dërguar një e-mail nëpërmjet të cilit ka njoftuar se për shkak të angazhimeve tjera në një tjetër gjykatë në të njëjtën kohë, nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotshme në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Të pranishëm në seancë ishin palët e dëmtuara Zef Gruda dhe Pal Gruda, dhe përfaqësuesi i tyre avokat Tomë Gashi, i akuzuari Asdren Mekaj si dhe Prokurorja nga Prokuroria Speciale Merita Binaj – Rugova.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Tomë Gashi, para fillimit të seancës, i dorëzoi Kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani, një parashtresë apo kërkesë për bashkim të çështjes penale të të akuzuarit Asdren Mekaj, dhe me çështjen penale të të akuzuarve në rastin ‘Kqira dhe të tjerët’.

Me këtë kërkesë u pajtua edhe vet prokurorja.

“Unë kam pasur ndërmend me e parashtru propozimin e njëjtë, por meqenëse përfaqësuesi ishte me i shpejtë në paraqitjen e propozimit, i bashkëngjitem propozimit duke konsideruar se bashkimi i këtyre dy lëndëve të lartcekura, bashkimi i lëndëve është në interes të të gjitha palëve dhe na mundëson efikasitetin në zhvillimin e procedurës meqenëse palët e dëmtuara janë të njëjta dhe ngjarja është e ndërlidhur”, tha Binaj- Rugova.

Por ajo nuk u pajtua me shtyrjen e seancës së sotme.

“Mosardhja e mbrojtësit në rastin konkret nuk është arsye për shtyrjen e gjykimit, i cili është zvarritur për disa vjet shkak se i akuzuari Asdren Mekaj ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Tani nuk është e arsyeshme që të zvarritet procedura më tutje për shkak të angazhimeve të avoaktit të tij Besnik Berisha’, shtoi ajo.

Avokati Tomë Gashi tha që nuk kërkon qysh sot të vendoset për kërkesën për bashkimin e lëndëve, por preferoi që gjykata të vendosë “para datës 12 nëntor”, kur edhe fillon gjykimi në rastin Kqira.

“Interesi i bashkimit të këtyre dy çështjeve penale është në interes të gjetjes së vërtetës, pasi që rastet janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Këtë më së miri e din kryetari i trupit gjykues pasi që i njëjti është në rastin e gjykimit të të akuzuarve Tunë Kqira”, tha Tomë Gashi.

Edhe ai u shpreh kundër shtyrjes së seancës së sotme.

Por kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani kundërshtoi vlerësimet e prokurores se rasti është zvarritur.

“Kjo çështje nuk duke u zvarritur aspak dhe është brenda të gjitha afateve ligjore të lejueshme”, tha Osmani.

Edhe Osmani e vlerësoi si “joligjore” kërkesën e Besnik Berishës për shtyrje të seancës dhe tha se “kërkesa e tillë nuk parqet arsyetim të mjaftuar dhe nuk merret parasysh nga ana e trupit gjykues”.

Në seancë, i akuzuari Asdren Mekaj deklaroi se ende nuk e kanë marrë vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes ndaj aktakuzës.

Kryetari i trupit gjykues tha se mosprezenca e avokatit Besnik Berisha nuk do të jetë pengesë në të ardhmen për vazhdimin e shqyrtimeve kryesore, dhe udhëzoi të akuzuarin Mekaj që ta angazhojë ndonjë avokat tjetër, meqenëse mbrojtja edhe nuk është e obliguar.

Nën këto rrethana, lidhur me kërkesën e avokatit mbrojtës trupit gjykues konstatoi se do t’i shqyrtojë mundësitë për bashkimin e lëndëve, pas analizimit dhe leximit të të gjitha shkresave të lëndës do të merret një vendim i veçantë jashtë seancës gjyqësore.

Andaj nën këto rrethanat seanca u ndërpre

Në shqyrtimin fillestar i akuzuari Mekaj kishte deklaruar se ”Nuk ndihem fajtor. Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate”

https://kallxo.com/akuzuari-per-shantazh-e-detyrim-thote-se-ndihet-demtuar/

Asdren Mekaj akuzohet për dy vepra penale, të detyrimit dhe atë të shantazhit

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Më tutje aktakuza e prokurorisë pretendon se në këtë mënyrë i pandehuri Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.