Vrasja ne Lipjan 01 foto KALLXOcom

‘Lëkundja’ qeveritare për bixhozin

Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar e  kishte marrë një iniciativë që përmes një koncept-dokumenti të propozuar nga Ministria e Financave, të legalizonte veprimtarinë e lojërave të fatit në vend.

Qeveria synonte të hiqte barrën tatimore për lojërat e fatit, si stimuj për legalizimin e tyre.

Kjo iniciativë, sipas tyre përveç zhvillimit ekonomik do të sillte edhe punësim.

Ky vizion është pjesë e koncept-dokumentit për lojërat e fatit që është miratuar nga qeveria e Kosovës vitin e  kaluar, si dhe i njëjti dokument i ka hapur rrugë hartimit të një projekt-ligji që do të rregullojë këtë fushë.

Mirëpo, së fundi kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar mbylljen e bizneseve të bixhozit.

Kjo nismë erdhi pas dy rasteve të vrasjeve të dy personave, një në Suharekë dhe një në Lipjan, të cilët ishin punëtorë të kazinove.

Pas incidenteve, 49 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë propozim-rezolutë lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës, me qrast po mbahet edhe seancë e jashtëzakonshme.

Haradinaj ndërkohë, e përshëndeti këtë nismë.

Të premten, kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se ka kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit.

“Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish. Ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë”, ka shkruar kryeministri.

Biznesi i lojërave të fatit është i zhvilluar në Kosovë.

Në bazë të statistikave të Administratës Tatimore të Kosovës aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 23 biznese që janë të specializuara për hedhje të basteve në sporte të ndryshme, që së bashku kanë 124 lokale.

Përveç tyre janë edhe 17 biznese, të cilat kanë 1,538 automate të licencuara dhe 43 rulete.

Planet e Qeverisë Haradinaj për zhvillimin e bixhozit e bastoreve

.