Lekaj: Autostrada e Dukagjinit projekti më gjigand i qeverisë

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se projekti i Autostradës së Dukagjinit është projekti më gjigand dhe më atraktiv që po realizohet nga qeveria së Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës në Gjakovë, ku morri pjesë në debatin publik për shqyrtimin e variantit të autostradës.

“Projekti i Autostradës së Dukagjinit është projekti më gjigand dhe më atraktiv që po realizohet nga qeveria Haradinaj. I siguroj qytetarët se projekti i Autostradës së Dukagjinit do të realizohet sipas kritereve dhe standardeve të Evropës”, ka thënë Lekaj.

Në Gjakovë sot është mbajtur debati publik për shqyrtimin e variantit më të mirë të autostradës së Dukagjinit, e cila i përfshin komunat Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Prizren, me gjatësi 91-95 kilometra.

Ndërsa qyteti i Gjakovës do t’i ketë tri hyrje në autostradë, që përfshin fshatrat Skivjan, Qerim dhe Rezinë.