Legjendat e Urave të Premtuara të Obiliqit

Në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013, Xhafer Gashi i kishte gëzuar fshatarët e Raskovës dhe të Hamidisë me premtimet që i kishte dhënë.

Ai u kishte thënë atyre se qarkullimi do t’u lehtësohet me urat që do t’ua ndërtonte.

Për fshatarët e Raskovës një urë do t’ua bënte më të lehtë punën në tokat që i kanë matanë lumit Llap.

Sipas vlerësimeve, kjo urë nuk do të kushtonte më shumë se 20 mijë euro.

Por edhe kur po hyn në vitin e tretë të mandatit, kjo urë ende nuk ekziston.

Në debatin në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, Xhafer Gashi thotë se këtë urë e ka në plan ta ndërtojë në vitin 2017, në fund të mandatit.

Ndërsa ura që lidh fshatrat Hamidi dhe Plemetin kushton shumë më shtrenjtë

As kjo nuk ka nisur.

Por Gashi është i bindur se kjo urë do të fillojë të ndërtohet këtë vit.

Optimizmin e tij kryetari i Obiliqit e bazon në takimet që ka zhvilluar me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai thotë të jenë ndarë 250 mijë euro për fazën e parë të ndërtimit të urës.

“Në vitin 2016 do të fillojë ura. Janë ndarë sipas planifikimit të buxhetit 250.000 euro për fazën e parë dhe shpresojmë që do të realizohet përfundimisht”, tha Gashi.

Xhafer Gashi, kryetar i Komunës së Obiliqit, në fushatën zgjedhore të para dy viteve ka bërë premtime në shëndetësi, ambient, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, shërbime publike dhe fusha të tjera.

Gashi tha se disa projekte kanë filluar dhe janë në proces ndërsa projekti për ujësjellësin është në përfundim e sipër pasi që problem për realizim e saj ishte shpallja e tenderit në vitin e kaluar.

Ndërsa për shtëpinë e kulturës tha se punimet do të fillojnë në vitin e ardhshëm pasi është futur në planifikimet buxhetore me rreth 70.000 euro.

Ndërsa Mehmet Krasniqi, asamblist nga LDK-ja dhe ish kryetar i komunës së Obiliqit, tha se këto janë gjëra të precizuara dhe se premtimet, sipas tij, nuk janë realizuar.

Ajet Berisha nga LB-ja, tha se këto projekte as nuk kanë filluar dhe se vetëm për ujësjellësin janë ndarë disa mjete ndërsa urat dhe Lagja e Dëshmorëve nuk janë paraparë me buxhetin e vitit 2016.

“Asnjëri nga këto projekte as nuk kanë filluar këto mund të jenë në planifikim. Për ujësjellës në Brezhnicë kemi ndarë mjete për me përfundu, ndërsa dy të tjera Lagjja e Dëshmorëve dhe urën në Raskovë edhe për vitin 2016 me buxhet nuk janë të parapara”, tha Berisha.

Ndërsa në fushën e Arsimit, kryetari i Obiliqit tha se ka përmbushur disa premtime të cilat i kishte premtuar para dy viteve.

“Janë realizuar dy  anekse në shkollën e Kozaricës dhe  Mazgit dhe janë ndërtuar katër fusha sportive, dhe në shkollën teknike dhe gjimnaz janë rinovuar objektet dhe të gjitha hapësirat e pashfrytëzuara dikur po shfrytëzohen”, tha Gashi.

Por Mehmet Krasniqi tha se gjatë këtij mandati janë bërë punësime në baza familjare.

“Ka pranime të punëtorëve në baza familjare, që prinë Drejtori aktual i cili ka vendosur vajzën e vet aty dhe njerëz me lidhje që ka kryetari”, tha Kransiqi.

Drejtori i Arsimit ne komunën e Obiliqit, Agim Spahiu tha se vajza e tij ka plotësuar kriteret për t’u punësuar.

“Nuk është pranuar në komunë por është pranuar në procedurë të rregullt si çdo kandidat në procesin edukativo-arsimor. E vetmja i ka plotësuar kriteret”, tha Spahiu.

Gjithashtu drejtori arsimit ka punësuar edhe një vajzë tjetër.

Ai thotë se i ka gjashtë vajza dhe “të gjitha do të punësohen”.

Ndërsa Saranda Krasniqi asambliste nga PDK-ja tha se anëtarët e partive të tjera mund të punësohen por jo edhe anëtarët e PDK-së. Ajo akuzoi nënkryetarin e komunës, Nysret Kelmendi se e ka punësuar kushëririn e tij në shkollë.

“Çdo anëtar tjetër i subjekteve politike mund të punësohet përveç anëtarëve  të PDK-së dhe nënkryetari Nusret Kelmendi ka punësuar kushëririn e tij”, tha Krasniqi.

Ndërsa Labinot Hashani nga Lëvizja Vetëvendosja tha se askush nga ky subjekt politik nuk është pranuar në punë. Ai thotë se edhe vetë ka aplikuar në një konkurs në të cilin nuk ishte pranuar pasiqë konkursi, sipas tij, është anuluar.

Kryetari Gashi tha se ka përmbushur premtimin e mbjelljes së fidanishteve ndërsa nuk e ka përmbushur premtimin për heqjen e disa deponive të mbeturinave.

Gashi tha se arritur që në Kuvendin e Kosovës të shtyjë për aprovim në lexim të parë Ligjin për Obiliqin.

“Është fat i mirë sepse ne kemi filluar fushatë në këtë drejtim dhe kontakte me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli ka kaluar për leximin e parë dhe se nëse kalon, 20% të tantienes është kërkuar për transportimin e thëngjillit, dhe të gjithë ata që sëmuren nga ndotja e ambientit do të trajtohen”, tha Gashi.

Para dy viteve në fushatën për zgjedhjet lokale, Xhafer Gashi, premtoi se do ta ndërtojë Shtëpinë e Kulturës dhe do ta rritë buxhetin në fushën e rinisë dhe sportit.

Ndërsa pas dy viteve kryetari ka arritur vetëm të japë subvencione për kulturë, ndërsa objekti vazhdon të mbesë në gjendjen e njëjtë.

Kryetari tha se kjo shtëpi është ndërtuar që pas Luftë së Dytë Botërore dhe se me Ministrinë e Kulturës është nënshkruar memorandumi për përgatitjen e projektit. Ai është optimist se ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës do të fillojë në vitin e ardhshëm.

Ndërsa Mehmet Krasniqi tha se kryetarit nuk i ka pëlqyer emri për shtëpinë e kulturës dhe se e  ka ndalur punën për këtë arsye.

Fjala është për një donacion turk, për të cilin thuhet se ka qenë i kushtëzuar me vënien e emrit “Sulltan Murati” këtij institucioni kulturor.

“Ne kemi vu gurthemelin në fund të vitit 2013 dhe në prill të vitit 2014 kanë qenë procedurat të akorduara. Por kryetari është ndalur për shkak që nuk i ka pëlqyer emri pasi ishte emër turk” , tha Krasniqi.