LDK thotë se në ditët në vazhdim do organizojnë mocionin e mosbesimit për Qeverinë Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për takimin e dy liderëve opozitar, Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN”, njoftoi LDK përmes një komunikate për media.

LDK tha se ka kërkuar nga organet e brendshme të kësaj partie që të përgatiten për zgjedhje të parakohshme.

“LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas partisë opozitare, bashkëpunimi ndërmjet grupeve parlamentare të LDK-së dhe LVV-së deri më tani ka qenë i mirë por i pamjaftueshëm.

“z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme”, thuhet në komunikatë.

LDK njoftoi se në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.

Paraditen e sotme për koordinimin opozitar u deklarua edhe Allbin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

https://kallxo.com/kurti-takon-isa-mustafen-pergatiten-per-rrezimin-e-qeverise-haradinaj/