Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: Thaçi me naivitet të rrezikshëm politik hoqi vijat e kuqe në dialogun me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që nuk do të ketë vija të kuqe në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një deklaratë për media, LDK e quajti Thaçin të paautorizuar për bisedimet finale dhe bëri thirrje për deputetët që ta ndalin atë.

“Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në reagim.

Ata thanë se një proces i pakushtëzuar i marrëveshjes me Serbinë është i rrezikshëm.

“Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”, thuhet tutje në reagim.

KALLXO.com transmetoi drejtpërdrejt konferencën e Presidentit Hashim Thaçi lidhur me dialogun.