Një fotografi e gurit të varrit të një personi për të cilon LDK pretendon se ka 'votuar' me postë. Foto: Dosja e LDK-së e dorëzuar në PZAP

LDK Sfidon Rezultatin e Istogut me Gurë të Varreve të ‘Votuesve’ (FOTO)

Fotografi të gurëve të varreve e deklarata me shkrim të personave që thonë se nuk kanë votuar janë pjesë e dosjes së LDK-së për ta sfiduar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rezultatin që fletëvotimet me postë dhe ato me kusht nxorën të enjten në garën për kryetar të komunës së Istogut.

Votimet e 19 nëntorit në këtë komunë e nxorën fitues Haki Rugovën e LDK-së me 671 vota në epërsi ndaj Gani Dreshajt të AAK-së.

Por kontingjenti i fletëvotimeve të numëruara dje përmbysi këtë rezultat duke e nxjerrë Dreshajn në krye të garës.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve tregoi që Dreshaj mori 1,475 vota ndaj 133 sa pati për Rugovën.

Haki Rugova, në një deklaratë për KALLXO.com menjëherë pas mbylljes së numërimit të fletëvotimeve tha se do ta kontestojë këtë rezultat duke thënë se “kanë votuar persona të vdekur”.

http://kallxo.com/haki-rugova-konteston-votat-nga-jashte-per-gani-dreshajn/

Ndërsa LDK është ankuar për këtë rezultat.

Në disa dëshmi të dosjes së LDK-së dërguar në PZAP të cilat i posedon KALLXO.com, kjo parti pretendon se persona të vdekur janë në mesin e atyre që kanë votuar në këtë proces.

Për këtë, LDK ka sjellë edhe fotografitë e gurëve të varreve të këtyre ‘votuesve’ shoqëruar me datëlindjet e tyre si dhe numrat personalë.

KALLXO.com gjithashtu ka siguruar një listë prej 108 emrash të cilët janë deklaruar të mos kenë aplikuar për të votuar përmes shërbimit të votimit me postë, por emrat e të cilëve janë gjetur në listën e atyre që kanë votuar.

Në një reagim të sotëm, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, e quajti “Pazar” kontingjentin e votave për Dreshajn e AAK-së.

Ndërsa AAK në një deklaratë për shtyp, i reagoi komentit të Mustafës.

“Për procedurën e njëjtë të votimit, kur LDK mori votat me postë në Istog në raundin e parë Isa Mustafa nuk u ankua, kur i humbi të njëjtat vota filloi ankesat”, tha AAK në deklaratë.

AAK thotë se Gani Dreshaj ka dalë fitues në zgjedhjet për kreun e Istogut.

“Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë. LDK, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk kishte asnjë ankesë edhe pse shumica e votave me postë ishin për kandidatin e tyre në garën për Kryetar të Istogut”, tha AAK duke shtuar se “tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është e papranueshme”.