LDK sërish kërkon zgjedhje, tryezat politike i quan të pakuptimta

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tyre vendi është në krizë institucionale.

Sipas një njoftimi për media të LDK-së, koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën dhe se më nuk mund të bisedohet në tryeza politike për tema tjera me interes nacional, pa patur institucione të qëndrueshme.

“Humbja e shumicës nga koalicionit qeverisës që ndodhi para tre muajsh e ka futur vendin në krizë. Ky vlerësim i para tre muajve është edhe më aktual tani, pasi kriza është thelluar. Qeveria nuk mund të adresojë asnjë çështje madhore, përveç vendimeve rutinore të cilat mund t’i marr edhe një qeveri teknike në detyrë. Kuvendi është jo funksional”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Më tej LDK konsideron se tryeza e partive politike është iniciuar nga LDK-ja me një temë të vetme që është si të dilet nga kjo krizë institucionale.

“Në një situatë të tillë ne nuk mund të bisedojmë për tema të tjera. Temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen nga një koalicion i pakicës. Prandaj, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme” potencohet në njoftimin e LDK-së.

Tutje në njoftim LDK ka renditur dy pika për të cilët sipas tyre partitë politike duhet të arrijnë konsensus.

“Është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me: Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave të rëndësisë nacionale, pavarësisht kush qeveris sot e kush nesër, si dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjet e nevojshme për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice. Në frymën e kësaj, LDK-ja është e gatshme të bisedojë dhe të arrijë konsensus. Ndryshe këto tryeza nuk kanë kuptim. Ne do të përdorim rrugët kushtetuese për të mos lejuar dëmtimin e vendin nga ky koalicion qeverisës i pakicës”, përfundon njoftimi për media i LDK-së.