LDK-së Nuk i Pëlqen Ideja e Kadri Veselit

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka pritur mirë idenë e Kadri Veselit, kryetarit të partnerit të madh në qeveri, Partisë Demokratike të Kosovës për riformatim të gjerë të qeverisë.

Më herët gjatë ditës, Veseli ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të ndryshohen shumë emra në kabinetin qeveritar në procesin e plotësimit të pozitave të Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të jashtëm të lënë bosh që nga zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e Presidentit.

Mirëpo Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha për KALLXO.com se ende nuk është diskutuar brenda kryesisë për riformatizim të gjerë, ashtu siç ka kërkuar sot Veseli.

“Ne kemi qenë në pritje të PDK-së për t’i sjellë emrat e rinj, pasi që dy postet e zbrazëta kanë qenë nga radhët e tyre, mirëpo për shkak se ata kanë qenë të zënë në mbajtjen e Konventës për të zgjedhë Kryetarin e ri ka ndodh kjo vonesë. Megjithatë në parim ne kemi qenë dhe jemi vetëm për plotësimin e vendeve, si pasojë e zgjedhjes së Presidentit të ri.” tha Haziri.

Gjatë ditës, Veseli është takuar me Mustafën, por në komunikatën zyrtare të lëshuar nga ky takim nuk përmendet riformatimi i qeverisë.

Në këtë takim thuhet se Mustafa e ka uruar Veselin për zgjedhjen e tij kryetar i PDK-së “duke i uruar suksese në përgjegjësitë e reja politike”.

“Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me fokus të veçantë zhvillimet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave. U bisedua poashtu për funksionimin sa më të mirë të koalicionit qeverisës, si dhe koordinimin e domosdoshëm ndërinstitucional në funksion të fuqizimit e përmirësimit të qeverisjes në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë.