Foto: Atdhe Mulla

LDK: Punësimi në Telekom është rritur mbi baza nepotike dhe politike

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kriza në Telekom vetëm sa është thelluar.

“Është rritur punësimi mbi baza të pastra nepotiste dhe politike. Auditim nuk është bërë dhe kryeminsitri nuk ka raportuar për këtë çështje në Kuvend. Telekomi nuk është duke falimentuar për shkak se nuk ka treg, por për shkak të kontrata të dëmshme me kompani private që po e shfrytëzojnë atë pas asnjë kriter”, tha ai sot në Kuvend.

Ndër të tjerash, Hoti tha se Telekomi i Kosovës ka nevojë për një auditim ndërkombëtar kredibil, për ti ditur se cilat janë kontratat e dëmshme.

“Telekomin nuk mund ta nxjerrin nga kriza ata që e kanë futur në këtë krizë”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.