Stema e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: I Papranueshëm Presioni ndaj KQZ-së e PZAP-it për Istogun

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate ka bërë të ditur se KQZ-së e PZAP-it po u bëhet presion pas rivotimit të së dielës në Istog.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të thellë është duke përcjellë presionin e jashtëzakonshëm që është duke iu bërë organeve të pavarura kushtetuese siç janë KQZ dhe PZAP, pjesëtarët e të cilave madje janë kërcënuar edhe ‘me burg’ nga partia e Kryeministrit Haradinaj dhe nga pjesëtarët e caktuar të kësaj qeverie”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Dje deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj reagoi pas numërimit të të gjitha votave për Istogun duke thënë mes tjerash se “dikush po ia bën burgut me sy”.

Këtë presion LDK-ja e konsideron të papranueshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës këto veprime i konsideron si të papranueshme duke i vlerësuar edhe si veprime që cenojnë rëndë rendin kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, vijon komunikata.

LDK-ja që garoi në Istog me Haki Rugovën, rivotimine konsideroi të rregullt.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, procesin e rivotimit në Komunën e Istogut e konsideron si proces tejet të rregullt, me ç’rast falënderon qytetarët e Istogut dhe organet kompetente për pjesëmarrje, përkatësisht organizim të mirë të procesit zgjedhor në këtë komunë”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja thotë se nuk do të lejojë “të cenohet integriteti i procesit zgjedhor.

Pas numërimit të votave të rivotimit të së dielës Haki Rugova i LDK-së ka marrë 14 vota më shumë se kundërkandidati i tij Gani Dreshaj i AAK-së.

http://kallxo.com/haki-rugova-fiton-me-15-vota-diference-ndaj-gani-dreshaj/

Por Gani Dreshaj kërkoi rinumërim të votave.

http://kallxo.com/gani-dreshaj-kerkon-rinumerim-te-votave/

Në balotazhin e 18 nëntorit pas numërimit të votave me kusht, me postë dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, më shumë vota kishte fituar Gani Dreshaj.

http://kallxo.com/gani-dreshaj-tejkalon-haki-rugoven/

Por LDK-ja ishte ankuar ndaj këtij rezultati, ndërsa më pas Gjykata Supreme kishte vendosur që të zhvillohet rivotimi në Istog.

http://kallxo.com/ldk-sfidon-rezultatin-e-istogut-gure-te-varreve-te-votuesve-foto/

http://kallxo.com/supremja-istogu-shkon-ne-rivotim/