LDK kritikon Komunën e Prishtinës se nuk po i respekton rekomandimet e Auditorit

Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë kanë akuzuar Komunën e Prishtinës se nuk po i zbaton rekomandimet e Auditorit.

Sipas asamblistit Shefqet Osmani, komuna e ka injoruar Auditorin e Përgjithshëm, ku për vitin 2017 kishte dhënë 25 rekomandime, kurse në fund të vitit 2018, sipas tij, ishin zbatuar 6 rekomandime, 5 ishin në proces, kurse 4 janë mbyllur pa u zbatuar fare.

“10 rekomandime të 2017-ës nuk ishin adresuar fare, e që të njëjtat rekomandime janë adresuar edhe në vitin 2018. Po ashtu, për vitin 2018 Auditori kishte dhënë edhe 21 rekomandime tjera. Sipas kësaj del se kryetari Shpend Ahmeti është më i fortë se vetë ligji”, deklaroi Osmani.

Osmani ka thënë se sipas Auditorit, komuna e Prishtinës ka realizuar vetëm 43% të investimeve kapitale për vitin 2018, apo 16 milion e 700 mijë nga 38 milion e 500 mijë sa ishte planifikuar. Ai ka deklaruar se nga pa aftësia dhe neglizhenca komunës i kanë tepruar mjetet.

Osmani ka kërkuar edhe llogari nga komuna e Prishtinës, për rreth 1 milion e 100 mijë euro, që sipas tij, nuk dihet ku kanë mbetur nga bartja e buxhetit të tepruar.

“Bartja apo mbetja është 24 milion e 538 mijë euro, shtrohet pyetja, pse Auditori nuk parasheh askund këtë ndryshim në pasqyrat financiare kur dihet se komuna për bartje në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka sjell për bartje 23 milion e 342 mijë euro. Pra komuna duhet të jep llogari se ku mbeti mbi 1 milion e 195 mijë euro dhe se a ishte ky gabim i qëllimshëm apo lëshim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe vonesat e realizimit të projekteve nëpër kryeqytet, si bulevardi mbi kurriz, ndërtimi i urave të rreth rrotullimit Fushë Kosovë – Prishtinë, shkallët në lagjen “Arbëria”, dhe  ndërtimi i kolektorit mbi lumin “Prishtina”.