Ceremonia e varrimit të Adem Demaçit

LDK kritikohet për mospjesëmarrjen në varrimin e Demaçit

Analistët kanë kritikuar mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në ceremoninë komemorative dhe ceremoninë e varrimit të veprimtarit Adem Demaçi.

Analisti Dastid Pallaska ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi sot meriton vetëm nderim, ndërsa ka thënë se mos-pjesëmarrja e LDK-së në varrimin e tij është gabim po aq sa ishte gabim edhe refuzimi i Gardës së TMK-së për të marrë pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës.

“Adem Demaçi nuk ishte politikan sepse idetë e tij politike nuk përkonin me kohën në të cilën veproj. Inspiroj rezistencë në kohën e “bashkim-vllaznimit” dhe propozoj bashkëjetesë ballkanike në kulmin e jo-tolerancës etnike. Thënë këtë, këmbëngulësia me të cilën ndoqi idetë e tij politike edhe atëherë kur ato konsideroheshin jo-konvencionale dhe vetëmohimi i tij emblematik e bënë pashmangshëm pikë të referimit për atdhedashuri për të gjithë shqiptarët, përfshirë këtu edhe kundërshtarët e tij politik apo ata që nuk pajtoheshin me idetë e tij politike. Për këtë arsye Adem Demaçi sot meriton vetëm nderim. Ndërsa, mos-pjesëmarrja e LDK-së në varrimin e tij është gabim po aq sa ishte gabim edhe refuzimi i Gardës së TMK-së për të marrë pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës”, ka shkruar Pallaska në Facebook.

Kurse, analisti tjetër, Imer Mushkolaj ka thënë se mospjesëmarrja e zyrtarëve të LDK-së në ceremoninë e varrimit nuk e zvogëlon figurën e Adem Demaçit.

“Mospjesëmarrja e zyrtarëve të LDK-së në ceremoninë e varrimit nuk e zvogëlon figurën e Adem Demaçit. Veç kallxon sa t’vegjël janë ata”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Ndryshe figurat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës munguan në ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit.

E pranishme në ceremoninë e varrimit nga LDK-ja ka qenë vetëm Ish-shefja e Kabinetit të ish- Kryeministrit, Isa Mustafa, Vlora Dumoshi.