Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

LDK kërkon tryezë të radhës për caktim të datës së zgjedhjeve

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar që të organizohet tryeza e radhës me subjektet politike për të caktuar datën e zgjedhjeve në Kosovë. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën javore tha se qëllimi i tryezave është dalja nga kriza politike.

“ Qëllimi i tryezës është dalja nga kriza politike përmes caktimit të datës së zgjedhjeve dhe dakordimit për punët që duhet të kryhen nga institucionet deri në zgjedhje, në mënyrë që të mos ngecin reformat për integrim europian dhe proceset e tjera të rëndësisë nacionale”, tha Hoti.

Hoti deklaroi se përmes këtyre tryezave, LDK-ja i ka dhënë mundësi dialogut për të dalë nga situata, përpara se të përdoren veprimet e tjera për të mos lejuar një qeverisje jolegjitime.

“Por, duket se ambicia për pushtet e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit po mbizotëron përpara interesit nacional dhe përgjegjësisë qytetare që duhet të tregojnë bartësit e institucioneve. Ta kenë të qartë se qytetarët e Kosovës nuk lejojnë qeverisje jodemokratike. Tryeza e ardhshme duhet të qartësojë gjithçka në këtë drejtim”, deklaroi Hoti.

Ish- ministri i Financave kritikoi edhe vendimet e Qeverisë së Kosovës të drejtuara nga koalicioni PAN.

“Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës. Rrjedhimisht, Qeveria nuk ka legjitimitet qytetar e demokratik. Vendimet e saj nuk janë legjitime dhe do të anulohen në Qeverinë e ardhshme”, tha ai.

Hoti e konsideroi kryeministrin Haradinaj mashtrues të komuniteteve.

“Kryeministri mashtron komunitetin goran me themelimin e një komune të re, pa asnjë konsultim me komunitetin boshnjak dhe me shumicën shqiptare në Dragash.  Tre liderët e PAN-it janë marrë peng nga njerëz të tillë dhe rrjedhimisht mbajnë përgjegjësi”, deklaroi Hoti.

Sipas tij, edhe funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje dhe seancat nuk thirren me rregull dhe dështojnë për mungesë kuorumi.

“Nga 24 seanca që janë mbajtur deri më tani, 20 prej tyre janë shtyrë kryesisht për mungesë kuorumi. Mbledhjet e komisioneve dështojnë për mungesë kuorumi. Në mungesë të shumicës parlamentare, koalicioni qeverisës bllokon çështjet në Kuvend me mospjesëmarrje në votim.  Ministrat dhe Kryeministri nuk paraqiten në seancë dhe në Komisione Parlamentare. Kështu që kontrolli demokratik i Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës ka dështuar. Kështu funksionon vetëm një Qeveri totalitare”, tha Hoti.

LDK-ja më 25 prill organizoi tryezën e subjekteve politike, ndërsa këtë organizim e vazhdoi më pas PDK-ja, pasi partitë u morën vesh për organizime të tilla me rotacion.