LDK kërkoi nga presidenti Thaçi të caktojë datën e zgjedhjeve

Kryesia e LDK-së u mbledhë sonte për të kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve.

I pari i kësaj partie, Isa Mustafa tha se kryesia vlerëson se pas dorëheqjes së kryeministrit, LDK po e përsërit se është e domosdoshme që të shkojmë në zgjedhje.

Ai theksoi se këto zgjedhje do t’i japin legjitimitetin politik qeverisë.

“Me keqardhje e kemi pranuar lajmin për ftesën që i është bërë Haradinajt, për t’u intervistuar në Gjykatën e Hagës. Mendoj se presidenti nuk mund të bëj Qeveri vet sepse për qeveri duhet të ekzistojë vullneti politik. Ne nuk pranojmë asnjë zgjidhje tjetër pos shkuarjes në zgjedhje”, tha ai.

Tutje Mustafa theksoi se LDK i përmbahet parimeve, e që sipas tij, parimet janë zgjedhjet e lira të parakohshme.

I pyetur nga gazetarja e KALLXO.com se a do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Mustafa tha se ende nuk kanë filluar bisedimet për koalicione.

“Nuk e kemi hapur atë çështje kur të hyjmë në zgjedhje vendosim edhe me koalicionet. I kemi pasur orientimet tona dhe do të vendosim në bazë të atyre qëndrimeve që veç i kemi bërë publike”, tha ai.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

 

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/