LDK - Prishtine - foto KALLXO - 16.01.2019

LDK-ja në Prishtinë ia numëron ‘dështimet’ Shpend Ahmetit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) qendra në Prishtinë, ia ka numëruar 11 dështimet më të mëdha në vitin 2018 kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në një konferencë për media, Agim Gashi asamblist i kësaj partie, gjithashtu e ka kritikuar kryetarin Ahmeti për pjesëmarrjen e tij në ekipin negociator për dialog, duke thënë se pozita e dyfishtë e tij e ka shkelur ligjin.

“Korniza ligjore në mënyrë taksative ndalon pozitat e dyfishta për zyrtarët e lartë. Të qenurit pjesë i ekipit të dialogut është shkelje e drejtpërdrejtë e nenit 13 paragrafi 2 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, sipas të cilit zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i një apo më shumë organeve të institucioneve tjera publike. Prandaj, të qenurit njëkohësisht kryetar kryeqyteti dhe bashkëkryesues i një organi tjetër shtetëror, paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të lartpërmendura”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, Ahmeti ka zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale të kryeqytetit, me përfshirjen e tij në dialog.

“Ky kryetar, në vend se të përmbush zotimet publike dhe kërkesat e qytetarëve, përkundrazi ka zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale nën maskën e ‘interesit vital për vendin’ dhe përfshirjen e tij në ekipin e Dialogut. E gjithë kjo është bërë në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka akuzuar Ahmetin se rritja e numrit të drejtorive ishte vendim politik dhe se shkarkimi i drejtorëve  është fakt se qeverisja e Ahmetit në periudhën pesëvjeçare, nuk arriti asnjëherë të stabilizohet dhe të funksionojë në standardet normale.