LDK-ja e do VV-në, PDK-ja e do PSD-në

Sipas një hulumtimi të opinionit publik të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), votuesit e LDK-së preferojnë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje por jo me PSD-në kurse votuesit e PDK-së dëshirojnë një koalicion me PSD-në por janë kundër një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

Votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje presin një koalicion me LDK-në por janë kundër një koalicioni me PDK-në. Nga ana tjetër simpatizantët e partisë në pushtet, AAK-së dëshirojnë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje por janë kundër një koalicioni të tillë me Nismën Socialdemokrate.

Edhe votuesit e Nismës Socialdemokrate janë për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje por janë kundër koalicionit me PDK-në.

Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar nga 25 gushti deri më 5 shtator me një mostër prej 1200 qytetarëve. Prej 1200 të anketuarve, 49.5 për qind kanë qenë burra dhe 50.5 për qind gra.

Kur janë pyetur të anketuar se sa janë të kënaqur me punën e qeverisë aktuale, 72 për qind janë shprehur të pakënaqur  kurse 25.7 të kënaqur.

Kurse në pyetjen se cilat janë tri çështjet që ata janë ballafaquar në 6 muajt e fundit, çështja që është përmendur më së shumti është papunësia me 61.3 për qind, më pas liberalizimi i vizave me 42.8 për qind ndërsa korrupsioni, krimi i organizuar janë radhitur në vendin e tretë me 33.3 për qind.

Sa i përket punës së Kuvendit të Kosovës, 72 për qind të të anketuarve janë shprehur të pakënaqur kurse 25.9 për qind të kënaqur.

Sa janë llogaridhënës deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka qenë një tjetër pyetje e sondazhit të realizuar nga KDI.

53.5 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk janë aspak të kënaqur me llogaridhënien e deputetëve, 37.3 për qind janë shprehur se janë të kënaqur mesatarisht  dhe 2.6 janë përgjigjur se janë shumë të kënaqur.

70 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do të dilnin të votonin nëse këtë të diel do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, prej të cilëve 47 për qind do të dilnin gjithsesi.

KDI ka prezantuar edhe një sondazh se cila parti do të dilte e para në zgjedhje nëse tani do të mbaheshin zgjedhjet.

https://kallxo.com/ldk-prin-ne-sondazhin-e-kdi-se/

https://kallxo.com/sondazhi-partia-e-shpend-ahmetit-nuk-e-kalon-pragun/