Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

LDK insiston t'i ketë 2 anëtarë në KQZ

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se bazuar në zgjedhjet e 11 qershorit të vitit 2017 grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetet shumicë janë koalicioni PAN, LVV dhe LDK.

Prandaj sipas Hotit këtyre grupeve ju takojnë nga 2 anëtarë të KQZ.

“Gjithçka është e qartë përveçse për presidentin”, tha Hoti.

Hoti shtoi se nga 5 shtatori 2017 KQZ do të duhej të ketë përbërje të re e cila do të duhej të reflektonte rezultatin e zgjedhjeve.

“Por presidenti vendosi ta zgjas mandatin e përbërjes së më parshme të KQZ-së-së edhe për 6 muaj deri më 27 mars 2018. Grupi ynë parlamentar në prill 2018 i ka dorëzu nominimet për anëtar të KQZ-së. Presidenti e ka pezullu procedurën e nominimit duke parashtru kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të nenit 139 paragrafi 4 në lidhje me përbërjen e KQZ. Duke qenë në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 gusht 2018 ku sqarohet se çfarë është grup parlamentar kjo kërkesë e presidentit ka qenë e panevojshme. Kjo kërkesë është shpall e papranueshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoti.

Sipas tij në emailin e presidencës grupit parlamentar të LDK-së i është kërkuar ta nominojë 1 anëtar. Hoti tha se presidenti e ka konfirmuar përpjekjen për të emëruar një përbërje antikushtetuese të KQZ-së.

“Zyrtarët e partive politike dhe të grupeve parlamentare kanë tre muaj që nuk marrin paga për shkak se KQZ nuk është funksionale për të ndarë fondet për parti dhe për grupet parlamentare”, tha ai.

“Shkelje e Kushtetutës është edhe mosveprimi 1 vjeçar i presidentit. Neni 84 pika 2 e Kushtetutës thekson qartë se presidenti është  i obligum të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me kushtetutë. KQZ është institucion i përcaktuar me Kushtetutë. Presidenti me mosveprim e ka pamundësu funksionimin kushtetues të KQZ. E ka shkel nenin 84 pika 2 e Kushtetutës”, tha Hoti.