Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe MUlla

LDK e Vetëvendosje tregojnë pse nuk do ta votojnë buxhetin 2019

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për miratimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019.

Në seancën e Kuvendit këtë të enjte, më 31 janar,  Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë përkrahjen e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate, e cila në lexim të parë ia siguroi votat Qeverisë për ta kaluar buxhetin, për ta miratuar atë i ka vënë pesë kushte ekzekutivit, në të kundërtën nuk do ta miratojnë buxhetin.

LDK-ja është shprehur e gatshme të jetë në seancë, por kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë buxhetin.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka konfirmuar këtë qëndrim për KALLXO.com.

“Ne marrim pjesë në seancë, por buxhetin nuk e votojmë”, është shprehur ajo.

Qëndrim të njëjtë për këtë çështje po mban edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Rexhep Selimi, deputet i LVV-së, tha për KALLXO.com, se qëndrimi i tyre është kundër këtij buxheti dhe ka numëruar disa arsye.

“E para, buxheti është jo në përputhje me nevojat dhe me ndarjen e duhur të tij për atë çfarë ka nevojë Kosova dhe e dyta nuk e meritojmë një buxhet të një Qeverie e cila do të duhet të japë dorëheqje qysh tani që po flasim”, tha deputeti.

Sipas Selimit, kërkesa për dorëheqjen e Qeverisë dhe kundërshtimi i buxhetit “shkojnë pako”.

Deputeti i LVV-së e ka thumbuar qasjen e PSD-së ndaj Qeverisë.

“Opozita nuk do ta votojë buxhetin, mos ta harrojmë. Kush është opozitë nuk e voton buxhetin e Qeverisë. Kush e voton atë dhe bën pazar me Qeverinë në emër të opozitës, nuk mund ta përfaqësojë opozitën”, shtoi Selimi.

Ndërkaq, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, thotë se vota e tyre për buxhetin lidhet me pesë kushtet e vendosura nga ta.

“Vota jonë për buxhetin është e lidhur pandashëm me plotësimin e 5 kushteve të vendosura nga ne, rrjedhimisht ne do ta votojmë buxhetin në seancën e së enjtes vetëm me plotësimin e tyre”, tha ajo.

Sa u përket kërkesave, Kuçi theksoi se besojnë se Qeveria është në proces të përmbushjes së tyre.

“Ligji për Pagat është në proces e sipër. Draftimi i Kodit Pensional do të drejtohet nga një përfaqësues i PSD-së. Besojmë se do të jetësohen edhe Ligji për Dialogun dhe shkarkimi i ministrit Rikallo brenda afateve. Ligji për Qeverinë është kushti që ka afat kalendarik për 3 muaj”, tha ajo.