LDK e Rugovës Kundër Demarkacionit me Malin e Zi

Nëndegët e LDK-së nga fshatrat e rajonit të Rugovës ka kërkuar që marrëveshja për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe malit të Zi të mos ratifikohet në Kuvend.

Para se të vijë në rend dite ratifikimi, nëndegët e partisë e cila në qendër e mbështet demarkacionin, kanë propozuar arbitrazh ndërkombëtar për këtë marrëveshje.

Pavarësisht se një ekip ekspertësh të huaj i angazhuar nga ish Presidentja Atifete Jahjaga ka konkluduar se në aspektin ligjor dhe teknik, decentralizimi ka qenë i rregullt, banorët e fshatrave rreth kufirit nuk pajtohen me marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit të kaluar.

“Ne anëtarësia e LDK-së, nëndega Rugovë, kërkojmë nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që të mos e votojnë këtë në parlament, dhe të mos e ratifikojnë si të tillë. Meqë komisionet vendore e kanë humbë besueshmërinë, kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet përmes një arbitrazhi ndërkombëtar”, tha Blerim Rexhbogaj, kryetar i nëndegës së LDK-së Rugova-2.

Konferenca për shtyp e nëndegëve të LDK-së është mbajtur në selinë e kësaj partie në Pejë.

Krerët e dy nëndegëve të në Rugovës thanë se e kanë përkrahjen edhe të Kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë dhe kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit nuk deshi të flasë për ketë çështje, por shefit i kabinetit të tij, Durim Sheremeti tha për gazetarë se LDK-ja ka mbështetur organizimin e konferencës se nëndegës, por jo edhe përmbajtjen e saj.

Muhaxheri lidhur me demarkacionin kishte deklaruar më herët se Komuna e Pejës nuk ka dokumentacione që dëshmojnë se Çakorri i takon territorit të Kosovës.