LDK e quan eksperiment platformën për dialogun

LDK-së nuk i ka bërë përshypje platforma e ekipit negociator të Kosovës, përmbatjaj e të cilës ka marrë sot pëlqimin e drejtuesve të institucioneve të vendit.

Në një takim të mbajtur paradite ndërmjet drejtuesve të ekipit negociator, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, me Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ata u pajtuan për përmbajtjen finale të dokumentit i cili sot pasdite pritet të votohet nga anëtarët tjerë të delegacionit para se të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe votim final.

Por për Avdullah Hotin, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ekipi negociator Ahmeti- Limaj nuk ka legjitimitet.

“Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës, me legjitimitet politik, që ushtron kompetencat e veta kushtetuese”, tha Hoti në një deklaratë për KALLXO.com.

“Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë”, shtoi ai.

“Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Nëse këto institucione nuk kanë fuqi politike dhe nuk kanë legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës”, tha Hoti.