LDK e AKR Bashkojnë Forcat në Kamenicë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur marrëveshje koalicioni me Aleancën Kosova e Re (AKR) për garën e balotazhit dhe qeverisjen katërvjeçare në komunën e Kamenicës.

Marrëveshja është nënshkruar dje nga kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga radhët e LDK-së, Shaip Surdulli dhe kryetari i degës së AKR-së, Fatmir Matoshi.

Përveç pikës që Shaip Surdullin e konsiderojnë kandidat të përbashkët, marrëveshja parasheh formimin e një ekipi të përbashkët për unifikimin e programit qeverisës në Kamenicë.

Ndërsa, ndarja e përgjegjësive për qeverisjen lokale do të bëhet në bazë të profesionalizmit dhe integritetit të lartë të personave bartës së drejtorive dhe pozitave të tjera.

Për ndarjen e përgjegjësive subjektet janë marrë vesh që të lidhin një marrëveshje të veçantë.

Ditë më parë kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati, kishte publikuar një marrëveshje për bashkëqeverisje të cilën ia kishte ofruar AAK-së dhe AKR-së.

Në raundin e parë të zgjedhjeve në Kamenicë, Qëndron Kastrati mori 5 mijë e 970 vota, përkatësisht 33,69 përqind të votave totale.

Ndërkaq, Shaip Surdulli mori 5 mijë e 103 vota, përkatësisht 28,79 përqind të votave në Kamenicë.