Presidenti Thaçi dekoron ambasadorin Kai Eide - Foto: Facebook/HashimThaci

LDK dhe Vetëvendosje takohen me ish-emisarin e OKB-së në Kosovë

Përfaqësues të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur në dy takime të ndara, ish të Dërguarin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjitshëm të OKB-së në Kosovë, Kai Eide.

Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, kryetari Albin Kurti dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën në takim diplomatin norvegjez, Kai Eide, dhe përfaqësuesen e Qendrës Norvegjeze për Zgjidhjen e Konflikteve, Siri Skare.

Ata ishin të interesuar të mësonin më shumë mbi situatën në Kosovë dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me negociatat Kosovë-Serbi.

Kryetari Kurti shpejgoi planin me katër hapa të Lëvizjes Vetvendosje në lidhje me dialogun. 

“(1) vlerësimin në Kuvend të 33 marrëveshjeve të arritura në periudhën 2011-2017, (2) shtrimin e kërkesave tona ndaj Serbisë si borxhli i yni, (3) hartimin e platformës me parimet e negociatave, dhe (4) ngritjen e ekipit negociator me udhëheqje kredibile”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në takim me Eide kanë biseduar për çështje aktuale politike në vend, rrugën euro-atlantike të Kosovës dhe rolin e LDK-së në të gjitha këto procese.

“Kryetari Mustafa falenderoi Kai Eide për mbështetjen e tij në të gjitha proceset deri në pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.