Konferenca e LDK dhe Alternativës | Foto: KALLXO.com

LDK dhe Alternativa Akuzojnë Thaçin për Marrëveshje të Fshehta me Vuçiqin

Në një konferencë për gazetarë në Kuvend, LDK-ja ka përmendur marrëveshje të fshehta të Thaçit me Vuçiqin.

Deputetja Vjosa Osmani në konferencë tha se presidenti Thaçi po mban takime të fshehta me homologun e tij serb Vuçiq.

“Fatkeqësisht Thaçi deri tani ka mbajtur të fshehta diskutimet dhe marrëveshjet e arritura me Vuçiqin, siç e dini disa herë janë takuar, herë me ndërmjetësues, e herë pa të”, tha Osmani.

Ajo i bëri thirrje Thaçit që të raportojë në Kuvend për takimet me Vuçiqin.

“Ne i bëjmë thirrje Presidentit Thaçi që urgjentisht, sipas kushtetutës t’i drejtohet Kuvendi dhe ta njoftojë Kuvendin për këto takime, sepse po përflitet edhe për tema të ndarjes së Kosovës”, tha Osmani.

Tha se Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë në të cilën do të tregojë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja e detyrueshme me Serbinë.

Në konferencë folën edhe Ilir Deda e Tahir Zemaj.

Deda tha se Kuvendi duhet ta ketë nën kontroll presidentin, ose grupin që negocion me Serbinë.

“Ajo çka ndodh fshehtë nga ana e Presidentit është që ai luan ne idenë ë ndarjes së Kosovës, e bën vazhdimisht nga viti 2002. Ne kërkojmë, që Kuvendi ta ketë nnë kontroll njeriun apo grupin që do të bisedojë me Serbinë”, tha Deda.

Ai tregoi edhe se janë siguruar 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit nga organizata EQAR.