Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: Delegacioni i Kosovës në Bruksel nuk ka autoritet as legjitimitet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar rreth delegacionit të Kosovës që nesër do të jetë në Bruksel.

Sipas LDK-së, drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individët tjerë, të cilët pritet të udhëtojnë në Bruksel, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“LDK konsideron se ky grup njerëzish të cilët i lidh vetëm mbetja në pushtet, e të cilët nuk përfaqësojnë më shumë se 40 % të qytetarëve, nuk i bëjnë nder dhe nuk mund të flasin e të marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, duke mos pasur mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. LDK konsideron se vetëm zgjedhjet e reja nacionale mund të prodhojnë institucione legjitime për të quar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për shtetin si dhe për të ndaluar degradimin e plotë institucional, politik e ekonomik që e ka pllakosur Kosovën”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kjo parti thekson se e mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA për normalizimin e relacioneve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se ky proces mund të ketë rezultat vetëm nga institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e reja, të lira dhe demokratike, si dhe me një konsensus të gjerë institucional, politik e shoqëror.

Gjatë ditës së sotme Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidenti Hashim Thaçi  ka udhëtuar për në Bruksel, për takimin e radhës në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhet nga të gjithë udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë të partive politike parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, respektivisht nga presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi”, thuhet në njoftim.