Deputetët e LDK-së

LDK: AAK dhe NISMA iu nënshtruan presionit të PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi për media e ka cilësuar se AAK dhe NISMA me pjesëmarrjen e tyre në seancën e thirrur nga Qeveria janë dorëzuar përballë presionit të PDK-së.

“Seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së AAK dhe NISMA po luajnë lojën e presidentit të vendit Hashim thaqi dhe se ekipi negociator nuk e paraqet vullnetin e shumicës së popullit.

“Këto dy parti tash do të luajnë lojën e z.Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës. Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të z.Thaçi me Serbinë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Më tej sipas këtij reagimi, të LDK-së shteti i Kosovës është në rrezik.

“Shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës. Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është pa negociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës. LDK-ja do t’ju prij ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë. LDK-ja nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës”, përfundon reagimi i LDK-së.

Kujtojmë se LDK nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirru nga Qeveria e Kosovës, ku si pikë e rendit të ditës është ekipi negociator i propozuar nga Qeveria Haradinaj.