Lansohet versioni i përditësuar i Regjistrit të Lejeve dhe Licencave

Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me ‘International Finance Corporation’ (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, në kuadër të Projektit “Klima e Investimeve në Kosovë II” e financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, në një konferencë të organizuar sot, bënë lansimin e versionit të përditësuar të Regjistrit Qendror të Lejeve dhe Licencave.

Qëllimi i së cilës është lansimi i versionit të përditësuar të Regjistrit Qendror të Lejeve dhe Licencave, i cili është një nga obligimet që është përcaktuar me Ligjin për Sistemin e Lejeve dhe Licencave.

Sipas një komunikate për medie, ky regjistër ofron informata mbi të gjitha dokumentet lejuese (leje, licenca, certifikata, autorizime, etj.) që institucionet qendrore lëshojnë ndaj bizneseve për të mundësuar veprimin e tyre në të gjitha fushat e ekonomisë.

“Regjistri përmban informacion rreth 500 dokumente lejuese të lëshuara nga 26 institucione qendrore në 21 fusha të aktivitetit ekonomik, të cilat mund të gjenden në ueb faqen https://lejelicenca.rks-gov.net. Ky proces synohet të arrihet nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative në kryerjen e veprimtarive ekonomike, tregtare apo profesionale, që është e domosdoshme për të mbrojtur shëndetin publik, sigurinë publike, mjedisin dhe përdorimin e resurseve natyrore në Republikën e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

Besnik Tahiri, koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, tha se është përkushtim i Qeverisë për reformë strukturore të administratës së shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe në modernizimin dhe thjeshtëzimin e shërbimeve, të cilat jepen për qytetarët dhe sektorin privat.

Me nga një fjalë rasti, para të pranishmëve iu drejtuan edhe Katrin Ochsenbein, Këshilltare Rajonale dhe Menaxhere e Programit për Ekonomi dhe Punësim, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë,  Thomas Lubeck, Menaxher, Ballkani Perëndimor, Departamenti i Evropës dhe Azisë Qendrore, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Mentor Borovci, Drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili bëri prezantimin e detajuar të përmbajtjes së Regjistrit Qendror online të Lejeve dhe Licencave.