Ministrja Albena Reshitaj në lansimin e softuerit, Foto: MMPH

Lansohet softueri për cilësinë e ajrit

Në kuadër të Javës së Mjedisit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka prezantuar sot lansimin e softuerit për të dhënat rreth cilësisë së ajrit.

Me rastin e lansimit të këtij softueri ministrja Reshitaj u shpreh e kënaqur që tani qytetarët do të informohen saktë dhe në kohë reale mbi cilësinë ë ajrit në disa komuna të Kosovës kurse MMPH-ja në bazë të vlerave të ndotësve për periudha të caktuara do të marrë vendime dhe masa drejt zvogëlimit dhe kontrollit të ndotjes së ajrit.

“Duke u bazuar në rëndësinë që ka informimi i qytetarëve për nivelin e ndotjes së ajrit dhe impaktin pozitiv në ndërgjegjësimin e tyre në mbrojtjen e ajrit nga ndotja si dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të transparencës e llogaridhënies sot po lansojmë softverin për cilësinë e ajrit në Kosovë”, deklaroi ministrja Reshitaj.

Reshitaj ka falënderuar Komisionin Europian për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij softveri, Qeverinë Amerikane e cila përmes MMC-së po ndihmon në shtrirjen me të madhe gjeografike të sistemit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe investime në mirëmbajtje të stacioneve si dhe JICA-në Japoneze për kontributin e dhënë në ngritjen e kapaciteteve në stacionet për matjen e cilësisë së ajrit.

Ministrja Reshitaj deklaroi po ashtu se softveri që po lansohet sot, është plotësisht kompatibil me Indeksin e Kualitetit te Ajrit në Europë dhe bënë monitorimin e 5 ndotësve kryesor i cili përben edhe indeksin e kualitetit të ajrit.

Në fund ministrja Reshitaj theksoi se në hap drejt avancimit të sistemit të informimit të publikut,  MMPH-ja do të zhvilloj edhe aplikacionin për telefona  ku qytetarët  do të kenë informacion të drejtpërdrejt nga telefoni  për indeksin e kualitetit të ajrit.

Linku për publik është: http://kosovo-airquality.com/ ku mund të gjenden të dhënat për secilin ndotës në kohë reale.