FOTO KALLXO: Lansimi i Portalit "Transparenca në Prokurimin Publik"

Lansohet portali për ‘Prokurim të hapur dhe transparent’

Platforma “Portali i Prokurimit të hapur dhe Transparent” është lansuar sot nga USAID  në bashkëpunim me lëvizjen “FOL”.

Zëvendës-ambasadorja amerikane, Colleen Hyland, vlerësoi investimet në projektet e llogaridhënieve, luftën kundër korrupsionit e cila ndikon gjithashtu edhe në zhvillimin e Kosovës.

“Reforma në prokurim është çelësi i shumë gjërave që Kosova përpiqet t’i përmbush. Qytetarët gjithnjë e më shumë po kanë qasje në informata thelbësore, përtej qeverisë, gazetarëve, qytetarët duhet t’i transferojnë informatat në njohuri, prej njohurisë në aksion”, tha Hyland.

Zëvendës-ambasadorja amerikane u bëri thirrje qytetarëve që të dalin hapur me ide që do të transformojnë prokurimin publik.

Pjesëmarrës i paralajmëruar në këtë aktivitet, ishte ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, mirëpo nuk ishte i pranishëm për shkak të aktiviteteve të tjera.

Kryetari i KRrPP-së, Safet Hoxha, tha se ky portal do të jetë një instrument i fuqishëm dhe efikas në luftën ndaj korrupsionit në prokurimin publik.

“Nuk ka instrument më të fuqishëm kundër korrupsionit sesa rritja e transparencës në prokurimin publik. Shoqëria civile dhe mediat janë partner strategjikë dhe po punojmë që të rrisim aktivitetin kundër korrupsionit. Bizneset duhet të trajtohen partner të shtetit dhe jo rival, ne duhet të ndahemi nga mendësia komuniste”, tha Hoxha.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja “Fol” gjatë këtij prezantimi tha se portali është inspiruar nga një i ngjashëm në Sllovaki, dhe më tutje prezantoi portalin, të cilin e cilësoi shumë të thjeshtë për përdorim.

“Portali ynë përbëhet nga tre njësi thelbësore që janë kontratat, blerësit dhe furnizuesit. Portali është si “facebook” secila kompani ka faqen e vetë” tha ai.

Ky portal mundëson mbledhjen e informatave nga prokurimi elektronik i Kosovës dhe gjithashtu u mundëson qytetarëve qasje më të lehtë në të dhëna.