Pamje nga lansimi i anketës “Iniciativa për Integritet Gjyqësor” - Foto: KALLXO.com

Lansohet Anketa ‘Iniciativa për Integritet Gjyqësor’

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lansuar anketën “Iniciativa për Integritet Gjyqësor”, i cili është hulumtimi i parë i kësaj natyre që realizohet në Kosovë.

Kjo anketë do të zhvillohet gjatë muajit prill dhe në të do të marrin pjesë akterët kryesorë  të sistemit të drejtësisë në Kosovë: gjyqtarët, prokurorët, avokatët, policët hetues dhe inspektorët policorë të Kosovës, me qëllim që të hulumtohet nëse ka sjellje korruptive në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), tha se është hera e parë që në Kosovë zhvillohet një format i kësaj ankete dhe se ky program do të zhvillohet për pesë vite në Kosovë me moton “Kërko drejtësi”.

“E dimë që është fusha më e ndjeshme në Kosovë. E dimë që është fusha më e atakuar në Kosovë. Besojmë që është rast i mirë që përmes këtij pyetësori, i cili përmban 50 pyetje, për të gjetur të gjitha ato zbrazëtira apo të meta në sistem, të cilat do të jenë anonime dhe do të zhvillohen duke filluar që nga udhëheqësit e institucioneve deri në nivelin më të ulët të punëtorëve në këto institucione”, tha Kryeziu.

Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), i inkurajoi avokatët dhe të gjithë profesionistët e tjerë ligjor që t’i përgjigjen pozitivisht këtij pyetësori dhe me sinqeritet të shprehin njohuritë e tyre lidhur me atë çfarë pyetësori kërkon.

“Rezultatet e këtij pyetësori do të jenë një udhërrëfyes për të eliminuar format e ndryshme të keqpërdorimeve të cilat ndikojnë në integritetin e bartësve të funksioneve të sistemit të drejtësisë në veçanti edhe në uljen e rasteve korruptive në përgjithësi”, shtoi ndër të tjera Havolli.

Në anën tjetër, Nehat Idrizi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë lansimit të kësaj ankete tha se përmes këtij hulumtimi akterët kryesorë të drejtësisë në Kosovë do të kenë mundësinë që nga brenda të denoncojnë apo adresojnë shqetësimet e tyre për ndonjë sjellje eventuale korruptive të kolegëve të tyre.

“Dua të rikonfirmoj përkushtimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për zero tolerancë ndaj sjelljeve të këtilla joetike dhe që cenojnë integritetin profesional të gjyqësorit. Sjelljet e tilla do të mbeten çdoherë të papranueshme dhe do të ndëshkohen përshtatshmërisht”, potencoi Idrizi.

Blerim Isufaj, kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se iniciativa si kjo i shërbejnë drejtpërdrejt integritetit të sistemit prokurorial.

“Mbesim me shpresë që rezultatet e vlerësimit të tregojnë jo vetëm nivelin aktual të integritetit por do të jenë një udhëzues i qartë për këshillin që si një organ administrues për sistemin prokurorial të hartojë politika dhe të marrë vendime për forcimin e integritetit të sistemit”, nënvizoi Isufaj.

Kjo iniciativë është komponentë e programit “Kërko drejtësi” i cili është i financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe implementohet nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NSCS) që ka për qëllim të ngritë kërkesën e publikut kosovar për drejtësi më efektive në Kosovë.