Zyrtarja policore gati një vit në pushim mjekësor, ndërsa shihej në tubime të PDK-së në Prizren

Një zyrtare policore, që nga 12 marsi i vitit të kaluar e deri me sot, është në pushim mjekësor me rekomandim të shërbimeve shëndetësore të Policisë së Kosovës.

Por e njëjta, ani pse në pushim mjekësor, në anën tjetër është parë në disa takime me disa kandidat e anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës dega në Prizren.

Zyrtarja policore, Shqipe Krasniqi është parë në disa fotografi të shpërndara në Facebook, nga kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Çeku Buçinca në disa takime politike dhe mbështetëse gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e zyrtares policore në lidhje me këtë çështje ndërsa e njëjta ka rekomanduar që KALLXO.com të mos merret me rastin e saj.

“Është mirë me u marrë me disa sene të tjera, sepse shërbimi ku punoj e din në çfarë gjendje jam dhe çka kam përjetuar. Merruni me dikë tjetër. Unë kisha thënë që mos me u marrë me mua sepse janë organet e tjera që merren me mua”, tha Krasniqi në një bisedë telefonike për KALLXO.com.

Ajo tutje tha se ka qenë takim i rastësishëm me disa nga bashkë-luftëtaret e saj dhe është ndalur për të ngrënë drekë me to.

“Unë kam qenë për mjekim. Në atë rrugë i kam parë, dhe e kam ngrënë një darkë aty. Nuk jam shku dhe nuk jam dalë asnjëherë në asnjë tubim as kurrgjë përveç te mjeku dhe në shpi. Gjendja jem me unazat e mia nuk ka leju me dalë kurrkund hiç. Kështu që mua më kanë shoqëruar dy shoqe të luftës për mjekim dhe jo për tubim. Asnjë tubim, përveç qatje që e kam ngrënë një darkë, në asnjë tubim tjetër nuk kam qenë”, ishte arsyetimi i saj në lidhje me këtë çështje.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, parimeve udhëzuese të policisë më saktësisht Nenit 2 të Ligjit, thuhet se ‘zyrtarët policor duhet të jenë të paanshëm dhe neutral lidhur me bindjet dhe pikëpamjet politike’.

Neni 49 i Ligjit për Policinë e Kosovës tregon qartë edhe se ‘është konflikt interesi që zyrtari policor të jetë pjesëmarrës aktiv në çfarëdo partie politike ndërsa nuk cilësohet konflikt interesi në rast se anëtarësimi i zyrtarëve policor në parti politike është i thjeshtë dhe të njëjtit nuk marrin pjesë në tubime apo takime të subjekteve politike’.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me pushimin e saj edhe nga Drejtoria Rajonale në Prizren.

Të njëjtit kanë konfirmuar se Shqipe Krasniqi tash e thuajse një vit është në pushim mjekësor për shkak të pandemisë.

“Nga fillimi i pandemisë deri më tani, me rekomandim të Shërbimeve Shëndetësore të Policisë, 5 zyrtarë policor janë me vendim në pushim mjekësor. Në mesin e tyre është dhe zyrtarja policore Shqipe Krasniqi për të cilin ju doni informacion, pra nga data 12 mars 2020 e vazhdon ende në pushim mjekësor të rekomanduar me vendim zyrtar”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

Për shkak të sëmundjeve të ndryshme që kanë, një numri të madh të zyrtarëve policor në Kosovë, me vendime të veçanta, Policia e Kosovës u kishte rekomanduar pushime mjekësore për shkak të pandemisë COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me zyrtarët policor të cilët janë infektuar nga COVID-19 gjatë periudhës sa kanë qenë në punë.

Madje në kohë pandemie, Policia e Kosovës aplikoi edhe vendimin që për një kohë, zyrtarët policor të punojnë nga 12 orë për shkak të menaxhimit të situatës COVID-19.

Ky orar funksionoi edhe pas votimit të ligjit kundër COVID-19, i cili i jepte të drejtë edhe zyrtarëve policor të shqiptojnë gjoba për qytetarët të cilët nuk respektonin masat e vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë e qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.