Ahengu i organizuar nga Learta Shalqini, Foto: Facebook

Zyrtarja e Komunës së Prizrenit i fton 40 persona në ndejën e martesës

Rreth 40 persona kanë marrë pjesë në një aheng familjar ditën e shtunë të cilën e ka mbajtur Learta Shalqini, asistente dhe sekretare e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ky aheng familjar është mbajtur në një hotel në Vërmicë, tri ditë më parë, pra të shtunën me datë 01.08.2020. E kontaktuar nga KALLXO.com, Shalqini ka thënë se organizimi është bërë për nderë të martesës së saj.

E njëjta me këtë veprim nuk i ka përfillur udhëzimet dhe rekomandimet e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve shëndetësore që dasmat të anulohen dhe të mos ketë ahengje familjare për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Gjithashtu në një fotografi të cilën e ka siguruar KALLXO.com, të ftuarit në këtë aheng, shihen që nuk po respektojnë edhe vendimin për mbajtjen e maskave. Mbajtja e maskës është bërë obligative, ndërsa një person mund të dënohet deri në 500 euro për mosrespektim të mbajtjes së maskës.

 

Ahengu i organizuar nga Learta Shalqini, Foto: Facebook

Vet Shalqini për KALLXO.com ka thënë se në këtë aheng familjarë kanë qenë të ftuar rreth 40 persona, ndërsa arsyeton mbajtjen e ahengut duke thënë se është mbajtur në ambient të hapur.

“Dasëm s`ka qenë, ka qenë një lloj dreke dhe vetëm familjarë ka pasur të ftuar, as 40 persona. Po ka qenë në ambient të hapur dhe ka pasur edhe persona të tjerë që nuk kanë qenë të ftuarit tanë. Vendi ka qenë i gjithi ambient i hapur, po atë ditë në të njëjtin vend, apo restauran ka qenë e hapur faktikisht edhe pishina. E di që në disa video mund të duken shumë persona të ftuar por nuk kanë qenë aq”, tha Shalqini për KALLXO.com.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshani për KALLXO.com ka thënë se vlerësimet se a duhet të mbahen apo jo ahengje të tilla edhe në ambiente të hapura, varen nga respektimi i masave të tjera, siç janë: maskat, distanca, përshëndetja.

“Sipas manualit të vendimeve të qeverisë ambientet e hapura janë vlerësuar se mund të mbash mbledhje deri në 50 persona. Kjo e ka bërë të mundur edhe mos-aktualizmin e asaj se a po mbahet distanca, maskat, si po mbahen kriteret, si është përshëndetja, mënyra e ushqimit”, shtoi ai.

Tutje Tërshani thotë se tubimet mund të mbahen edhe me 10 persona, por rreziku i infektimit mund të jetë i lartë.

“Varësisht, ka shumë kritere dhe parametra të vlerësimeve. Sepse ti mundesh me një tubim familjarë me i pas edhe 10 veta, edhe mundet me ardh nga një burim infeksioni edhe ky është potencial i rrezikut që të gjithë po i frikësohemi. Tash në Kosovë është bërë që person kontakti kemi çdo të dytin person dhe kjo mua po më brengos, çështja e tubimeve çoftë me 5 apo 10 persona”, tha Tërshani për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com, ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga ana e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, në lidhje me shkeljen e vendimeve të qeverisë nga ana e asistentes së tij, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve nga KALLXO.

Në lidhje me ahengje të tilla, KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ana e drejtorit të Inspekcionit në Prizren, Edon Muqaj, por edhe ky nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve.

Në mbledhjen e 28 korrikut të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që të ndalohen mbledhitë apo ahengjet e tilla familjare apo private.