Zyrtarizohet kandidatura e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës

Përparim Rama do të jetë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Kandidatura e Ramës ishte bërë e ditur edhe më 29 maj nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku kishte thënë se kandidimi  i Ramës për kryetar të kryeqytetit është përputhje natyrale e vizioneve të LDK-së.

LDK ka emëruar 8 kandidatë për kryetarë komunash, disa prej të cilëve janë duke drejtuar aktualisht komuna.

Kandidatë për kryetar të Komunës së Prishtinës është Përparim Rama, për kryetar të Komunës së Podujevës është Ekrem Hyseni, për kryetar të Komunës së Pejës është Gazmend Muhaxheri, për kryetar të Komunës së Suharekës është Ardian Shala, për kryetar të Komunës së Lipjanit është Imri Ahmeti, për kryetar të Komunës së Fushë -Kosovës është Burim Berisha, për kryetar të Komunës së Vitisë është Sokol Haliti dhe për kryetar të Komunës së Vushtrrisë është Xhafer Tahiri.