Ilustrimi: Kallxo.com

Zyrtarisht, sot fillon fushata për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nis sot zyrtarisht dhe për dhjetë ditë me radhë subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte partia e parë që hapi fushatën menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një video-materiali, në të cilin kandidati për kryeministër Avdullah Hoti shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.

Vetëvendosje kandidat për kryeministër në garën e 14 shkurtit ka Albin Kurtin, i cili gjatë shpalosjes së programit qeverisës tha se ai është bartës i listës, pavarësisht se KQZ e ka lënë jashtë duke zbatuar kështu aktgjykimin e Kushtetueses se në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje personat e dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.

Listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit.

Listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.

Nisma Socialdemokrate kandidat për kryeministër ka Fatmir Limajn.

Ndryshe, gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079.