Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtari serb i reagon ministrit Çeku për trashegiminë e kishave ortodokse

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2020 nga 57 incidente në objekte fetare, vetëm tetë prej tyre kanë ndodhur në kishat ortodokse.

“Të dhënat e Policisë së Kosovës: nga 57 incidente në objektet fetare gjatë vitit 2020, vetëm tetë kanë ndodhur në kishat ortodokse dhe 45 në objekte fetare islame. Shumica e këtyre incidenteve ishin raste vjedhjeje, ndërsa asnjë nga 57 incidentet nuk u klasifikua si i motivuar fetarisht. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.

Ndaj kësaj deklarate të ministrit kosovar ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ky i fundit ia ka kthyer Çekut në Twitter duke thënë se që nga viti 1999 janë shkatërruar më shumë se 135 kisha dhe manastire ortodokse serbe.

“Që nga viti 1999, më shumë se 135 kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe u shkatërruan në K&M. Serbia ka rinovuar më shumë se 45 tempuj. Shumë kisha janë ende në rrënoja, sepse Prishtina nuk lejon rindërtimin e tyre. Ata që u vunë flakën nuk mund të ruajnë trashëgiminë kulturore”, ka shkruar ai në Twitter.

Trashëgimia e kishave ortodokse në Kosovë ditët e fundit ka “përplasur” palën kosovare dhe atë serbe.