Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Zyrtari rus hedh poshtë spekulimet për shëndetin e Putinit

Kremlini ka hedhur poshtë spekulimet në media që presidenti rus, Vladimir Putin nuk gëzon shëndet të mirë, duke i quajtur këto pretendime si “asgjë tjetër pos lajme të rreme”.

Duke folur para gazetarëve në Moskë më 21 korrik, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se lideri rus 69-vjeçar është në gjendje të mirë, duke shtuar se një kollitje gjatë paraqitjes publike një ditë më parë, ka qenë rezultat i udhëtimit të tij në Iran dhe ekspozimit të gjatë para kondicionerit.

Pavarësisht raportimeve në muajt e fundit që pretendojnë se Putin ka kancer, sëmundjen e Parkinsonit, apo të dyja, ende nuk ka të dhëna se ai është i sëmurë, dhe Kremlini ka thënë vazhdimisht se lideri rus ka shëndet të mirë.

Më 20 korrik, edhe shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, ka thënë se sipas të dhënave që gëzon agjencia, Putin është “i shëndetshëm”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra/REL.