Ministria e Shendetesise 3

Foto: Denis Sllovinja

Zyrtari që përgatiti specifikat e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë, u caktua edhe anëtar i Komisionit vlerësues

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë ka pasur mangësi në proceset e prokurimit gjatë vitit 2022.

ZKA ka identifikuar se në ritenderin për furnizim me dokumente shëndetësore, njëri prej anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e tenderit ka qenë zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat.

“Kjo është në kundërshtim me nenin 62 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP) te ndarja e detyrave pika 62.3, paragrafi 4” – thuhet në raportin e auditimit.

Në po të njëjtin tender, ZKA thotë se është krijuar konfuzion te operatorët ekonomikë në lidhje me çmimin që duhet ofertuar.

Kjo pasi që në fillim të dosjes së tenderit ishte kërkuar që çmimet të jenë me dy shifra pas pikës dhjetore, më vonë me katër, pastaj në fund një pjesë e artikujve me dy e pjesa tjetër me katër.

“Të gjitha këto ndryshime kishin ardhur pas kërkesave të OE si rezultat i specifikimeve që ishin bërë në dosje të tenderit.”

Në një tender tjetër, për blerjen e pajisjeve medicinale mungon vendimi nga Zyrtari Kryesor Administrativ për caktimin e menaxherit te kontratës, siç kërkohet me nenin 61.15 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP).

ZKA ka vlerësuar se ndikimi i këtyre veprimeve apo mosveprimeve ka qenë stërzgjatja e procesit përderisa QKMF-të dhe institucionet e tjera kanë mbetur pa furnizim, ato kanë përdorur procedura alternative të furnizimit.

Rekomandimi i Zyrës së Auditorit për këtë çështje është që ministri të sigurojë që ndarja e detyrave dhe dosja e tenderit të përgatitet në atë mënyrë që të mos ketë nevojë të ndryshohen kërkesat gjatë procesit, me propozime të ofertuesve. Po ashtu, vendimet për menaxher të kontratës të autorizohen nga Zyrtari Kryesor Administrativ.

Gjatë këtij viti, ZKA kishte gjetur mangësi edhe në menaxhimin e specializantëve.